WORKSHOPI I DYTË I PROJEKTIT MENAXHIMI I INTEGRUAR I ASTEVE
Më 6 dhe 7 Shkurt 2020, në Hotel Hilton Garden Inn në Tiranë, SHUKALB dhe SHUKOS (Shoqata e Ujësjellësve dhe Kanalizimit të Kosovës) organizuan workshopin e dytë të Projektit” Shërbimet Këshillimore për Menaxhimin e Aseteve për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Evropën Juglindore (MIA)” për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Shqipëri dhe Kosovë
Workshopi u organizua bashkarisht me Deutsche Gesellchaft fur Internationale Zusammenarbeit (GIZ) dhe Hydro-Comp Enterprise HCE, dhe u mbështet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, si dhe nga Shoqata Ndërkombëtare e Kompanive Ujësjellës Kanalizime në Zonën e Mbulimit të Lumit Danub (IAWD).
Më 6 shkurt 2020, në të njëjtin vend, para fillimit të workshopit, HUB-i i projektit organizoi takimin e dytë të Komitetit Drejtues. Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e zbatimit të Projektit, mësimet e nxjerra dhe propozimet që duhen adresuar në Shqipëri dhe Kosovë, përfshirë Planin e Projektit dhe një përshkrim të shkurtër të fazës së ardhshme (Niveli i Artë).
Qëllimi i workshopit të dytë, i cili filloi pasdite, ishte prezantimi i rezultateve të arritura gjatë fazës së parë (Niveli i Argjendë) të projektit dhe gjithashtu prezantimi i fazës së dytë (NIVELI I ARTË) i projektit tek shoqëritë/kompanitë publike, shoqatat kombëtare të ujit dhe aktorët qëndrorë/lokalë nga Shqipëria dhe Kosova, donatorë dhe institucione financiare ndërkombëtare.
Në workshop morën pjesë përfaqësues nga shoqëritë ujësjellës kanalizime në Shqipëri dhe Kosovë, institucione qeveritare si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) e Shqipërisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve të Shqipërisë (AKUM) , Autoriteti Shtetëror për Informimin Gjeohapësinor (ASIG), Enti Rregullator i Ujit të Shqipërisë (ERRU), Autoriteti Rregullator i Ujit të Kosovës (ARRU), donatorët dhe institucionet financiare ndërkombëtare si Bashkimi Evropian, Banka Gjermane e Zhvillimit (KfW), Banka Botërore, si dhe palët e tjera të interesit në sektorin e ujit.