KONFERENCA DHE EKSPOZITA E 7-TË E PËRBASHKËT BALLKANIKE 2019 “UJË PËR TË GJITHË”
Konferenca dhe Ekspozita e 7-të e Përbashkët Ballkanike 2019 “Ujë për të gjithë”: Një histori suksesi e vazhdueshme për SHUKOS dhe SHUKALB!
Më 6, 7, 8 Nëntor 2019, SHUKALB në bashkëpunim me SHUKOS (Shoqata e Ujësjellësve dhe Kanalizimit të Kosovës) organizuan Konferencën dhe Ekspozitën e gjashtë të Përbashkët Ballkanike me temë “Ujë për të gjithë”, në Hotel Emerald, në Prishtinë, Kosovë. Eventi i këtij viti shënoi pjesëmarrjen e saj më të lartë në historinë e konferencave tona, me një rekord prej mbi 550 pjesëmarrësish të ardhur nga 16 vende të ndryshme nga Ballkani, Evropa dhe më gjerë.
Konferenca sërish arriti qëllimin e saj për të stimuluar dialogun midis aktorëve të ndryshme dhe për të ofruar mundësi për profesionistët e ujit, politikëbërësit dhe profesionistët e biznesit nga sektori për të diskutuar mbi çështjet shqetësuese, të shkëmbenin informacion dhe të ndanin përvojat e tyre në përpjekje për të ndihmuar zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në Rajonin e Ballkanit.
Para nisjes së Ceremonisë së Hapjes, më 6 Nëntor, u organizuan disa evente Para-Konferencës duke përfshirë Forumin e Grupimit të Profesionistëve të Rinj të Ujit me temë “Edukimi për Zhvillimin e Karrierës së Profesionistëve të Rinj të Ujit”, Takimin special me temë “Programi i Certifikimit të Bazuar në Testim”, dhe Workshopin Rajonal i Programit të Benchmarking për HUB-in Kosovë dhe Shqipëri.
Ceremonia e Hapjes në mbrëmjen e 6 nëntorit filloi me fjalimin e mirëseardhjes nga Presidenti i SHUKOS, Muhamed Suliqi i cili përshëndeti të pranishmit dhe i ftoi ata të ndiqnin programin e konferencës gjatë dy ditëve të ardhshme, si dhe të vizitonin ekspozitën teknike të sektorit privat që organizohet paralelisht me konferencën.
Ceremonia e hapjes vazhdoi me fjalimin përshëndetës nga personalitete të nivelit të lartë duke filluar me Valdrin Lluka, Ministër i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës. Ndër të tjera, Ministri Lluka deklaroi: “Në Kosovë kemi rreth 58 përqind të ujit të pijes që humbë në rrjetet tona, rreth 42 përqind mbetet faturimi që është jashtëzakonisht i ulët. Gjithashtu mbulueshmëria me kanalizim ka hapësirë për t’u përmirësuar, sepse sot mbulojmë diku rreth 75 përqind të qytetarëve me kanalizim dhe normalisht që këtu duhet të ketë fokus më të madh. Ne kemi shtuar kapacitetet e ujit të pijes, mirëpo nuk e kemi luftuar aq sa duhet dukurinë e humbjeve të ujit dhe këtu është problemi dhe thelbi kryesor pse duhet të fokusohemi më shumë“.
Pas fjalës së Ministrit Lluka, Fatmir Matoshi, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, mbajti fjalimin e tij përshëndetës ku ndër të tjera tha: “Në shumicën e rasteve ne në vendet tjera derdhim ujëra të papastërta, të pa trajtuara dhe në këtë rast prapë duhet falënderuar mbështetësit, donatorët që na mbështesin në sigurimin e fondeve për impiantet e trajtimit të ujërave të zeza në shtatë qendrat kryesore të Kosovë, e besoj në një të ardhme të afërt në secilin qytet të Republikës së Kosovës, në mënyrë që mos të derdhen ujërat e papastërta në vendet tona fqinje, që do të ishte edhe një plotësim i një kriteri drejtë integrimit tonë në Evropë”.
Personalitete të tjera të cilët mbajtën fjalime përshëndetëse ishin SH.T. Jean Hubert- Lebet, Ambasador i Zvicrës në Kosovë, SH.T. Christian Heldt, Ambasador i Gjermanisë në Kosovë, SH.T. László Márkusz, Ambasador i Hungarisë në Kosovë, SH.T. Piero Cristoforo Sardi, Ambasador i Italisë në Kosovë dhe SH.T. Qemal Minxhozi, Ambasador i Shqipërisë në Kosovë.
Ceremonia e Hapjes vazhdoi me ceremoninë tradicionale të ndarjes së çmimeve për njohjen e përpjekjeve të individëve që kanë pasur ndikim në punën e tyre dhe në përmirësimin e sektorit të ujit. Bordi i Drejtorëve të SHUKALB nderoi me çmim Ndriçim Shanin, Kryetar i Entit Rregullator të Ujit të Shqipërisë, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për kontributin e tij shumë dimensional në sektorin e ujit në Shqipëri përgjatë 38 viteve, si profesionist me përqasje pragmatike bazuar në njohjen e thellë të problematikave të sektorit; si dhe, për mbështetjen e tij të vazhdueshme dhe besnike ndaj misionit të SHUKALB, dhe kontributin e tij të çmuar në avancimin e këtij misioni, për një sektor të orientuar drejt profesionalizmit dhe performancës së qëndrueshme.”.
Ceremonia e Hapjes përfundoi me hapjen zyrtare të ekspozitës.
Programi Teknik i Konferencës konsistoi në 16 sesione me tematika të ndryshme të organizuara në 12 sesione të ndryshme paralele dhe 4 Sesione Plenare, të cilat adresuan mbi 49 prezantime. Të 12 Sesionet Paralele të Konferencës trajtuan tema të gjera dhe shumëdimensionale mbi: “Investimet në Infrastrukturë”; “Sfidat e Rregullatorit”; “Menaxhimi i Burimeve Njerëzore”; “Pikënisja në Përmirësimin e Shoqërive të Ujit”; “Menaxhimi i Operimit Teknik”; “Shërbimi ndaj Klientit dhe Komunikimi”; “Menaxhimi i Integruar i Aseteve”; “Menaxhimi i Burimeve Ujore”; “Eficenca e Energjisë”; “Menaxhimi i Ujit të Ndotur dhe Llumit” “Optimizimi i Operimit të Rrjetit”; dhe “Përmiresimi i Shërbimeve Ujësjellës Kanalizime”.
Programi Teknik i Konferencës filloi në mëngjesin e 7 nëntorit, me fjalën e mirëseardhjes nga Abdullah Derguti, Drejtor Ekzekutiv i SHUKOS, i cili dha një pasqyrë të aktiviteteve para-konferencës që u zhvilluan më herët atë ditë. Z. Derguti gjithashtu shprehu mirënjohjen për kontributin e sponsorëve që mbështetën organizimin e eventit, në veçanti të Qeverisë Gjermane dhe Bashkimit Evropian përmes projektit “Mbështetja e BE-së për Shërbimet e Menaxhimit dhe Trajtimit të Ujërave të Ndotura” i zbatuar nga Organizata Gjermane per Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ); Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Konferencat tona, si dhe kompaninë Schneider Electric, Projektin Rrjeti Rajonal për Zhvillimin e Kapaciteteve (RCDN) i zbatuar nga Fondi i Hapur Rajonal i GIZ (ORF), Emerald Hotel dhe kompaninë Congress and Event Organization (CEO).
Dita e dytë e Konferencës, 8 Nëntor, u hap me fjalimin e mirëseardhjes nga Elisabeta Poçi, Zëvendës Drejtore Ekzekutive, SHUKALB e cila pas një përmbledhje të shpejtë të ditës së mëparshme dhe pasi u uroi pjesëmarrësve mirëseardhjen në ditën e fundit të konferencës ftoi Philip Weller, Udhëheqësi i Sekretariatit Teknik, IAWD – Programi i Danubit për Ujin, për të mbajtur fjalimin e tij kryesor me temën “Siguria e Ujit dhe Menaxhimi i Krizave”. Në fjalën e tij z. Weller deklaroi se: “Të qenit i përgatitur mund të bëjë ndryshimin midis një situate të kontrolluar dhe një katastrofe të plotë. Përgatitja aktive nga Shoqëritë e Ujit dhe ofruesit e shërbimeve përmes programeve të trajnimit për sigurinë e ujit janë thelbësore, siç është bashkëpunimi midis partnerëve institucionalë për një përgjigje të koordinuar, dhe nxitjen e sinergjive dhe shkëmbimin e përvojave. IAWD dhe Programi i Ujit të Danubit kanë ofruar një kurrikul nën Programin D-LeaP për të mbështetur pikërisht këtë përpjekje”.
Pjesëmarrësit në Konferencë patën mundësinë të vizitonin një nga Ekspozitat më të mëdha Teknike në historinë e Konferencave tona vjetore. Ekspozita u hap zyrtarisht në 6 Nëntor, pas Ceremonisë së Hapjes, dhe vazhdoi për dy ditë paralelisht me Programin Teknik në 7 dhe 8 Nëntor. Ekspozita mblodhi 28 kompani private që vinin nga 10 vende të ndryshme nga rajoni i Ballkanit, Evropa, si dhe Izraeli, të cilët shfaqën produktet e tyre shumë të fundit, nga tubat, pompat, matësat, programet kompjuterike inxhinierike dhe shërbimet e menaxhimit.
Niveli i lartë i pjesëmarrjes që nga shoqëritë ujësjellës kanalizime deri në institucionet qeveritare, agjensitë donatore dhe institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe sektori privat dhe akademitë kanë konsoliduar tashmë Konferencën e Përbashkët Ballkanike si eventin kryesor të llojit të saj në Ballkanin Perëndimor.